Filmi horror ‘Obsession’ vazhdon të jetë një sukses në kinema, por regjisori Curry Barker ka pranuar se hiti i tij i madh ka një ‘boshllëk’ serioz në komplot që nuk ka shumë kuptim.
Konkretisht, filmi horror psikologjik, i cili mbërriti në kinema më 15 maj, ndjek një të ri, Bear Bailey, luajtur nga Michael Johnston, i cili përdor lodrën misterioze ‘One Wish Willow’ për ta bërë shoqen e tij Nikki (Inde Navarrette) të dashurohet me të.
Megjithatë, vendimi i tij shkakton një sërë pasojash të tmerrshme.
Edhe pse filmi pati një sukses të madh me audiencën dhe kritikët, regjisori Curry Barker pranoi se ideja qendrore e filmit ka një problem logjik.
Duke folur për Total Film, Barker deklaroi se nuk ka kuptim që në botën e filmit, një numër i madh njerëzish përdorin një objekt për të përmbushur dëshirat, ndërsa bota duket krejtësisht normale. ‘Nëse One Wish Willow funksionon vërtet, atëherë do të kishte gjëra të çmendura si dragonj,’ tha Barker.
Regjisori u përpoq të ofronte një shpjegim sipas të cilit çdo dëshirë çon në një realitet alternativ, por ai vetë pranoi se edhe kjo teori nuk i zgjidh të gjitha mospërputhjet në histori.
Pavarësisht kësaj, Barker theksoi se është i hapur për një vazhdim apo edhe një seri antologjie të frymëzuar nga bota e filmit.
Ndërkohë, ‘Obsession’ është bërë një nga surprizat më të mëdha të vitit.
Filmi fitoi 17.2 milionë dollarë në fundjavën e parë, dhe më pas zuri vendin e parë në arkëtimet amerikane.
Me një buxhet prej vetëm 750,000 dollarësh, ai u bë filmi horror më i lirë në krye të arkëtimeve që nga ‘Paranormal Activity’ i vitit 2009.






