Nderim për tetë dëshmorët e Kosovës në ceremoninë mortore në Prishtinë

Mijëra qytetarë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, para 11 vjetësh, i dhanë lamtumirën e fundit tetë kosovarëve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosura në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, të rënët u nderuan si dëshmorë nga shoqatat e dala nga lufta, familjarë dhe pjesëtarë të ish-UÇK-së.

Pas homazheve dhe akademisë përkujtimore të mbajtur në sallën “1 Tetori”, trupat e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt u përcollën për në banesën e fundit në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë.


- Advertisement -

Ceremonia mortore, e zhvilluar në praninë e mijëra qytetarëve, u shoqërua nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të veshur me uniforma të UÇK-së, të cilët qëndronin pranë arkivoleve të mbuluara me flamuj kombëtarë.

Në duart e tyre mbanin fotografi të të vrarëve, të paraqitur si luftëtarë të UÇK-së.

Nga Këshilli Organizativ u theksua se të vrarët në ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë u nderuan si dëshmorë kombi.

Megjithatë, në ceremoni munguan përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, ndërsa morën pjesë vetëm disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Disa prej të vrarëve kishin qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë luftës të vitit 2001 në Maqedoni.


- Advertisement -