Kongresistët amerikanë në vizitë zyrtare në Kosovë dhe Luginën e Preshevës

Një delegacion i kongresistëve amerikanë, i përbërë nga Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nga 26 deri më 28 maj, me kërkesë të organizatës “Albanians for America”.

Sipas njoftimit të organizatës, gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, autoritete ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë, si dhe me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Vizita ka për qëllim forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, diskutimin e zhvillimeve të sigurisë rajonale, si dhe mbështetjen e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në rajon.


- Advertisement -

Në kuadër të agjendës së tyre në Kosovë, delegacioni do të zhvillojë takime edhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, baza kryesore e forcave amerikane në Kosovë.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me institucionet shtetërore të Kosovës, autoritetet ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë dhe përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Pas vizitës në Kosovë, kongresistët amerikanë do të qëndrojnë në Luginën e Preshevës, ku do të takohen me Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfaqësues politikë shqiptarë dhe drejtues të komunave të Preshevës dhe Bujanocit.

Fokus i takimeve në Luginën e Preshevës do të jenë të drejtat e shqiptarëve, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë pjesë të rajonit.

Vizita zhvillohet në një periudhë të angazhimit të shtuar të Kongresit amerikan për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe për avancimin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Kongresisti Keith Self, në janar të këtij viti, kishte prezantuar në Kongresin amerikan një nismë ligjore lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Akti për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës synon të trajtojë qasjen e autoriteteve serbe ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Vetëm tri javë më parë, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, paraqitën një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet integrimin e Kosovës në NATO. “Albanians for America” ka shprehur mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të kongresistëve Keith Self dhe Suhas Subramanyam në mbështetje të çështjes shqiptare, stabilitetit rajonal dhe partneritetit ndërmjet popullit amerikan dhe shqiptar.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *