Qipro i është drejtuar sot kutive të votimit në një nga proceset zgjedhore më të rëndësishme dhe më të tensionuara politikisht të viteve të fundit, ndërsa qytetarët po vendosin për përbërjen e re të parlamentit në një klimë të mbushur me pasiguri, pakënaqësi dhe rivalitet të ashpër politik.
Sipas mediave të huaja, që nga ora 07:00 e mëngjesit, mbi 568 mijë qytetarë kanë nisur votimin në 1,217 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin dhe jashtë territorit të Qipros, për të zgjedhur 56 deputetët që do të përfaqësojnë qytetarët për pesë vitet e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Këto zgjedhje po konsiderohen shumë më tepër sesa një garë e zakonshme parlamentare.
Analistët politikë dhe mediat vendase i kanë cilësuar ato si një test të madh për partitë politike, liderët e tyre dhe besimin që qytetarët kanë ndaj sistemit politik në vend.
Fushata zgjedhore është karakterizuar nga tensione të shumta politike dhe një klimë e fortë polarizimi, ndërsa debatet kryesore janë fokusuar te rritja e kostos së jetesës, korrupsioni, emigracioni, ekonomia dhe çështja e kahershme e ndarjes së Qipros.
Në total, në këto zgjedhje po garojnë 753 kandidatë për një ulëse në parlament.
Prej tyre, 744 kandidojnë nën siglat e partive politike, ndërsa nëntë të tjerë janë kandidatë të pavarur.
Pjesëmarrja në orët e para të votimit është raportuar si e kënaqshme, pavarësisht motit të paqëndrueshëm dhe reshjeve të shiut që kanë përfshirë disa pjesë të ishullit.
Liderët politikë kanë votuar gjatë ditës dhe kanë përcjellë mesazhe të forta politike për qytetarët.
Tashmë vëmendja është përqendruar te rezultatet që pritet të publikohen gjatë mbrëmjes, ndërsa mediat në Qipro raportojnë se rezultatet e para preliminare do të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Megjithatë, shpërndarja përfundimtare e mandateve dhe formimi i hartës së re politike në Qipro pritet të bëhet e qartë vetëm në orët e vona të natës.






