Një delegacion zyrtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka vizituar Luginën e Preshevës.
Veprimtari i çështjes kombëtare që vepron në SHBA, Harry Bajraktari e ka quajtur vizitën e Self dhe Suhas Subramanyam historike dhe një mesazh të qartë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk janë harruar dhe se zëri i tyre dëgjohet në Washington, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, kjo vizitë ka rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe të ardhmes demokratike në rajon, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.
Kryetari i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, Kongresmeni Keith Self, po ndjek hapat e mikut të madh të shqiptarëve, Kongresmenit Eliot Engel, i cili si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, në vitin 2019, pasi vizitoi Beogradin, udhëtoi drejt Luginës së Preshevës ku u takua me shqiptarët atje.
Në po atë vizitë, Kongresmeni Engel ishte edhe në Kosovë, ku preu shiritin në inaugurimin e objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, si dhe vizitoi qytetin Bajram Curri në Shqipëri.
Ai shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Kongresit amerikan që po vazhdon të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, dinjitetin dhe interesat e kombit, përballë një Serbie që vazhdon të ndjekë politika diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Falënderoj komunitetin shqiptaro-amerikan në Texas për punën e madhe që po bëjnë për çështjen kombëtare.
Ata janë shembull se si duhet të veprojë diaspora shqiptare.
Zoti e bekoftë popullin amerikan.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar.






