Prokuroria Themelore e Pejës ka informuar se i dyshuari A.B., është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Materialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.
Arrestimi i të dyshuarit erdhi pas hetimeve intensive të Prokurorisë Themelore të Pejës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike.
Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për ndriçimin e rastit penal.
Prokuroria Themelore në Pejë është e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht ndaj veprave që cenojnë integritetin dhe sigurinë e fëmijëve.






