Procesi i Votimit për Shtetasit e Kosovës Jashtë Vendit: Detajet e Reja nga KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë detaje të reja lidhur me procesin e votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo periudhë 17-ditore do të vlejë vetëm për rreth 105 mijë shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës.

Pjesë e kësaj liste janë edhe shtetasit të cilët fillimisht ishin regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, por për shkak se numri i votuesve në këto përfaqësi nuk ka arritur të kalojë mbi 50, ata janë kaluar automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe janë njoftuar nga KQZ.


- Advertisement -

Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore, KQZ do t’i dërgojë shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë pakon me fletëvotim.

Detyra e votuesit është ta dorëzojë pakon në adresën e kutisë postare të KQZ-së në shtetin ku jeton votuesi.

Në shtetet ku KQZ nuk ka kuti postare, votuesi duhet të shënojë adresën e kutisë postare për votim përmes postës në shtetin më të afërt.

Detajet për procedurën e votimit gjejnë në udhëzuesin për votim që është i vendosur në pako. Çdo dërgesë postare përmban një numër gjurmimi për votuesin për të ndjekur vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

KQZ bën thirrje që çdo dërgesë postare të jetë individuale.


- Advertisement -