Filmi ‘Dua’ fiton çmimin ‘SACD’ në Festivalin e Kanës: Rrëfimi i një adoleshenteje në Kosovë

Filmi ‘Dua’ me skenar nga regjisorja Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat ka shënuar një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar, duke u vlerësuar me çmimin ‘SACD’ në Festivalin e Kanës, në kuadër të programit paralel ‘Semaine de la Critique’ apo Java e Kritikës. Çmimi ‘SACD’ jepet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë dhe synon të vlerësojë filma që dallohen për skenar të fortë, origjinalitet dhe qasje të veçantë artistike.

Filmi ‘Dua’ flet për fundin e viteve 90-ta në Kosovë.

Derisa lufta po afrohet dhe tensionet etnike po rriten, 13-vjeçarja Dua përpiqet të gjejë vendin e saj mes bashkëmoshatarëve dhe brenda trupit të saj që po ndryshon.


- Advertisement -

Pas një incidenti që trondit komunitetin e saj, ajo vetë bëhet shënjestër dhe krijon një shoqëri me një vajzë të guximshme, Maki, e cila e çon drejt një forme të papritur rezistence.

Mes dhunës së përditshme dhe kërcënimit gjithnjë e më të madh të dëbimit, mbetet pak hapësirë për zgjime të qeta.

Kasti i filmit përbëhet prej aktorëve sikurse: Pinea Matoshi, Vlera Bilalli, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha dhe Andi Bajgora, të cilët sjellin në jetë personazhet e këtij rrëfimi.

Filmi vetëm para pak ditësh e kishte pasur premierën botërore në festivalin e Kanës.


- Advertisement -