Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ishte në vizitë në Vushtrri aty ku u prit nga familja Hyseni.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se familjet kosovare kanë halle të ngjashme duke potencuar çmimet dhe tatimet e larta dhe pagat e pamjaftueshme. ‘Vizitat nëpër familjet tona anekënd Kosovës po tregojnë të njëjtën pamje: njerëz të ndershëm, me vullnet të madh për punë dhe që kanë dhënë shumë për Kosovën, por me brenga e shqetësime që po rëndohen çdo ditë.
Edhe në familjen Hyseni në Vushtrri dëgjova të njëjtat halle që sot i kanë shumë familje: çmime dhe tatime të larta, paga të pamjaftueshme dhe shpenzime të mëdha për shëndetësinë që paguhen nga xhepi i tyre,’ ka shkruar ai.
Tutje, Hamza tha se në një qeveri që do të udhëhiqej nga ai, ndryshimi i shumëkërkuar do të vijë në familjet e Kosovës. ‘Kosova nuk mund të ecë përpara kur familjet mezi e përballojnë muajin.
Qytetarët kanë nevojë për një shtet që punon për mirëqenien e tyre, jo për propagandë e kriza të pafundme politike.
Me qeverinë tonë, ndryshimi i shumëkërkuar do të vijë për çdo familje të Kosovës,’ shkruan Hamza.





