Inflacioni në Kosovë: Një Shqetësim për Ekonominë dhe Qytetarët

Shkalla vjetore e inflacionit në muajin prill ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.

Rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur te grupi i transportit, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse.

Njohës të ekonomisë, këtë rritje e quajnë si “kancer” të ekonomisë, duke thënë se këtë rritje më së shumti e vuajnë qytetarët.


- Advertisement -

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se inflacioni është shndërruar në një sëmundje kancerogjene, jo vetëm për aspektin ekonomik, por edhe për atë social. “E kemi paralajmëruar se anashkalimi i proceseve ekonomike në Kosovë dhe orientimi vetëm në agjenda politike me pretekst kryesor në luftë për pushtet, është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe më tutje indikatorët janë mjaft shqetësues.”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, bazuar në raportet e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ka të hyrat më të ulëta për kokë banori në Ballkanin Perëndimor. “Kosova është e fundit.

Dhe kur e kemi këtë inflacion dhe këtë ngritje të çmimeve të të gjitha produkteve, në veçanti të produkteve esenciale, vërtet është një situatë e cila duhet të alarmojë spektrin politik që të bëjë më tepër”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, është obligim i Qeverisë që të gjej mundësi për të ulur efektet negative të inflacionit. “E kemi anashkaluar ekonominë, jemi marrë shumë më tepër me politikë dhe e tërë kjo ka ndikuar që sot Kosova të shndërrohet në një shtet të varur nga importi.

Në vitin 2025, Kosova ka importuar më tepër se 7 miliardë e 100 milionë euro mallra nga jashtë.

Në të njëjtën kohë, Dogana krenohet se ka arritur të grumbullojë mbi 2 miliardë euro të hyra brenda vitit 2025.”, ka thënë ai për Ekonomiaonline.

Ndërsa, njohësi tjetër i ekonomisë, Bashkim Mustafa ka thënë se kjo rritje që ka ndodhur në vend është dëshmia më e mirë e dështimit politik dhe ekonomik të qeverisjes aktuale. “Pasojat janë fatale.

Inflacioni i lartë në aspektin ekonomik njihet si kancer për ekonominë e një vendi dhe po shihet që sot qytetarët janë më të varfër, ekonomitë familjare janë më të varfra, bizneset janë duke u përballur me një kosto të papërballueshme të çmimeve, do të ketë mungesë të investimeve dhe do të vështirësohet jeta e qytetarëve të vendit”, ka deklaruar ai.

Mustafa është shprehur se për shkak të çmimeve të larta, është rritur edhe migrimi i popullsisë dhe me këtë bie aktiviteti ekonomik dhe i bizneseve. “Është i papërballueshëm, sidomos kur dihet që në pesë vitet e fundit kemi rritje të inflacionit ose shkallë të lartë inflacioni vit pas viti dhe tashmë është shtuar edhe varfëria, është shtuar edhe migrimi i popullsisë, edhe bie aktiviteti ekonomik edhe i bizneseve, edhe jep efekte të cilat janë të papërballueshme dhe e dobëson aktivitetin ekonomik në përgjithësi.

Ka pasoja të pariparueshme si në periudha afatshkurtra, po ashtu në periudha afatgjata.”, ka thënë Mustafa.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *