Një gjykatë në Serbi ka urdhëruar 30 ditë paraburgim për ish-shefin e policisë së Beogradit dhe ish-këshilltarin e presidentit serb, Vesellin Milliq, i cili u arrestua të premten për fshehjen e një atentati për vrasje dhe pengimin e hetimit për zhdukjen e një burri që media e lidh me një klan kriminal të Beogradit.
Ish-këshilltari i Presidentit serb Alleksandar Vuçiq, Milliq, u arrestua të premten me dyshimin për kryerjen e disa veprave penale me qëllim mbulimin e një atentati për vrasje në një restorant në Beograd dhe pengimin e hetimit për rrethanat e zhdukjes së Alleksandar Neshoviq, i njohur me nofkën “Baje”, më 12 maj, të cilin media e lidh me një nga klanet kriminale të Beogradit.
Milliq dyshohet se ka kryer disa vepra penale si shef i Departamentit të Policisë së Beogradit me qëllim mbulimin e një vrasjeje të rëndë në një restorant, pas së cilës, një ditë më vonë, u raportua zhdukja e Neshoviq.
Ai u la në paraburgim “në rast të lirimit të tij, për ta parandaluar shkatërrimin, fshehjen, ndryshimin ose falsifikimin e provave ose gjurmëve të një vepre penale, si dhe pengimin e procedurave duke ndikuar te dëshmitarët, dhe gjithashtu duke pasur parasysh se ekzistojnë rrethana të veçanta që tregojnë se ai do ta përsërisë veprën penale në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Gjykata e Lartë në Serbi në një deklaratë.
Milliq u arrestua nga anëtarët e Drejtorisë së Policisë Kriminale, Shërbimit të Shtypjes së Krimit dhe Shërbimit të Krimit të Organizuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd (VJT).
Para arrestimit të tij, Vesellin Milliq ishte marrë në pyetje nga VJT si pjesë e hetimit për zhdukjen e Alleksandar Neshoviqit – Bajes, i cili u zhduk më 12 maj në një restorant në lagjen luksoze të Beogradit, Senjak.
Disa media raportuan të premten pasdite, duke cituar burime policore, se trupi i Bajes u gjet pranë autostradës pranë Shimanovcit.
Sipas informacioneve jozyrtare, ai u qëllua për vdekje nga Sasha Vukoviq Boske, ndërsa Neshoviq ishte ulur në shoqërinë e Milliqit.
Sipas informacioneve nga portali i gazetës “Danas”, Milliq dyshohet se e ftoi Vukoviqin në restorant për ta pajtuar atë me Neshoviqin, sepse ata ishin përleshur më parë.
Ata i vunë flakën trupit të tij të pajetë pranë autostradës.
Një përleshje shpërtheu midis tyre, pas së cilës Vukoviq nxori një armë dhe e vrau Neshoviqin me disa të shtëna.





