Aktakuza e konfirmuar ndaj ish-ministres së Albin Kurtit, Rozeta Hajdarit dhe dënimi ndaj ish-deputetit të VV-së, Egzon Azemi, nuk e ka ndalur shefin e kësaj partie që të përfshihen në listën për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për skandalin me rezerva shtetërore.
Aktakuza ndaj saj është konfirmuar në mars të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i kishte refuzuar si “të pabazuara” kërkesat e avokatëve të të pandehurve lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjes poshtë të aktakuzës.
Azemi është shpallur fajtor në prill dhe bashkë me të edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, të cilët u dënuan për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, me nga një vit e gjashtë muaj burgim.
Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte liruar nga akuza Manxhukën, ndërsa Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim.
Por, po atë vit, në tetor, Apeli e ktheu rastin në rigjykim.
Kujtojmë se një nga frazat e përdorura në të kaluarën nga Albin Kurti, në kohë zgjedhjesh, që nuk ‘guxon’ më ta premtojë ishte që “Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza”. “Njerëz pa aktakuza”, premtimi i dikurshëm që Kurti tash nuk ‘guxon’ ta premtojë.





