Banorët e fshatit Mlike të Sharrit shqetësohen për deponinë e paligjshme të mbeturinave: ‘Hapësira e hyrjes së fshatit është shndërruar në një deponi të egër’

Banorët e fshatit Mlike të komunës së Sharrit kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me hedhjen e paligjshme të mbeturinave ndërtimore dhe shtëpiake në hyrje të fshatit, sipas të cilëve kjo hapësirë është shndërruar në një deponi të egër.

Përmes një reagimi për media, banorët e fshatit thonë se në këtë lokacion çdo ditë hidhen lloje të ndryshme mbeturinash, ndër të cilat mbetje ndërtimore, mobilje të vjetra, plastikë, qese me mbeturina dhe mbetje të tjera shtëpiake.

Të njëjtit shtojnë se sasia e mbeturinave po rritet vazhdimisht, ndërsa hapësira që duhet të ishte hyrje e rregullt e fshatit sot duket e papastër dhe e lënë pas dore. ‘Veçanërisht shqetësuese është fakti se në atë vend ekziston një tabelë e vendosur qartë që ndalon hedhjen e mbeturinave.


- Advertisement -

Megjithatë, pavarësisht kësaj, disa persona vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme dhe çdo ditë lënë mbeturina të reja, duke injoruar paralajmërimet dhe rregullat’, thuhet në reagimin e tyre.

Banorët pretendojnë se përkundër që kanë ngritur disa herë këtë problem dhe kanë pritur reagimin e institucioneve përgjegjëse, deri më sot nuk janë ndërmarrë masa serioze për të parandaluar krijimin e mëtejshëm të kësaj deponie të paligjshme. ‘Banorët mendojnë se është koha e duhur që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë seriozisht këtë problem, të largojnë mbeturinat ekzistuese dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar hedhjen e mëtejshme të mbeturinave ndërtimore dhe shtëpiake’.


- Advertisement -