Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke thënë se vendi nuk duhet të mbetet prapa në procesin integrues evropian.
Në kuadër të Ditës së Evropës, e cila shënohet më 9 maj, në një ngjarje të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku u nda edhe Çmimi Europian i Vitit, Kurti tha se Kosova tashmë ka dëshmuar progres në ekonomi, demokraci dhe sundim të ligjit.
Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në disa fusha kyçe, duke përmendur rritjen ekonomike dhe avancimin demokratik.
Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm në vendin tonë.
Kemi një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor.
Jemi në krye kur bëhet fjalë për avancimin demokratik.
Pas një dekade pritjeje, ne tashmë gëzojmë liberalizimin e vizave dhe morëm vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022.
