Shqipëria ka zhvilluar provën e parë për Eurovision 2026, ndërsa tashmë janë publikuar edhe fotografitë e para nga skena, të cilat kanë nxitur interes të madh te fansat.
Faqja zyrtare e Eurovisionit, në përshkrimin e saj për performancën shqiptare, thekson se paraqitja ndërthuret me grafika alternative që shërbejnë si element rrëfimtar.
Në sfond shfaqen pamje që lidhen me ‘nënat’ dhe pritjen e tyre, si një lloj bisede simbolike ku u jepet siguri se ‘gjithçka do të shkojë mirë’ dhe se ‘kështu janë gjërat tani’.
Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë transmetimit të performancës së Alisit, përkthimi në anglisht i tekstit të këngës do të shfaqet me titra në ekran, një praktikë që ishte përdorur edhe më herët në Eurovision, si rasti i Italisë në Bazel 2025.
Në pjesën tjetër të përshkrimit, Eurovisioni e quan këngën një rrëfim ‘malli dhe humbjeje’, ndaj edhe skenografia është menduar në këtë frymë: Alisi shfaqet si një figurë misterioze në një skenë të errët, duke e nisur performancën në gjunjë, përpara se të ngrihet mes reve të tymit.
Ai është i veshur me të zeza dhe bie në sy një detaj në veshje – një element me gurë shkëlqyes – ndërsa pas tij shfaqet, përmes grafikave, një kast i madh figurash.
Sipas përshkrimit, në vizualet e prapaskenës shfaqet një ‘turmë grash’, ku disa prej tyre mbajnë edhe veshje tradicionale shqiptare, duke simbolizuar ‘nënat e Shqipërisë’ që presin djemtë të kthehen në shtëpi.
Megjithatë, pas publikimit të materialit, është vërejtur edhe një pasaktësi në formulimin e përshkrimit, pasi Shqipëria përfaqësohet nga një këngëtar i vetëm – Alisi.
Personat e tjerë që shihen në skenë mund të jenë pjesë e backvokaleve ose elemente vizuale të integruara në performancë, por jo një grup këngëtarësh që këndojnë së bashku në rolin kryesor.
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu se ka edhe elemente të tjera në performancë që e pasurojnë rrëfimin, por për momentin do të mbeten ‘mister’, duke lënë të kuptohet se në netët live publiku do të shohë edhe detaje shtesë.
