Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur. ‘Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur.
Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur’, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues.
Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Avokati i Thaçit konfirmon shtyrjen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
