Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi, është përballur me kritika në rrjetet sociale pas një statusi të publikuar ditë më parë në Facebook, ku komentonte zhvillimet rreth koalicioneve ndërmjet partive politike.
Në statusin e saj, Matoshi shkroi se “tash” po zyrtarizoheshin koalicionet e para mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë, duke shtuar se sipas saj këto parti “kanë qenë bashkë” edhe më herët, por tani po e formalizonin këtë në mënyrë zyrtare.
Ajo e mbylli shkrimin me një gjuhë të ashpër, duke i quajtur kundërshtarët politikë “palosha”, si dhe duke bërë një krahasim me rezultatin elektoral (“jo 51, po 61%”).
Ky postim nxiti reagime edhe nga kolegë të saj të skenës artistike.
Fillimisht reagoi këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha, njëherësh ish-deputete e PDK-së, e cila e shpërndau statusin e Matoshit dhe e kritikoi gjuhën e përdorur. “Kjo gjuhë dhe ky nivel komunikimi nga përfaqësues të zgjedhur e njëkohësisht edhe persona publik është diçka që nuk ia kisha dëshiruar askujt”, shkroi Hoxha, duke ngritur edhe një pyetje për koalicionet lokale: “Në Podujevë, në Mitrovicë, në Fushë Kosovë e gjetiu me kë jeni në koalicione?
Dobët, shumë dobët për besë”.
Ndaj gjuhës së përdorur nga Matoshi duket se ka reaguar edhe deputetja e LDK-së dhe këngëtarja Adelina Thaçi Meta, e cila publikoi një shkrim në Facebook pa e përmendur emrin e askujt, por me tone kritike ndaj mënyrës së komunikimit publik. “Ka njerëz që mbajnë titullin ‘artist’, por e përdorin zërin vetëm për të sulmuar, jo për të ndërtuar… Artisti i vërtetë nuk e ul nivelin e debatit, ai e ngre shoqërinë… Mjaft”, shkroi Thaçi Meta, duke theksuar se një përfaqësues i qytetarëve ka përgjegjësi të dyfishtë për të dhënë shembull dhe për të ndërtuar ura komunikimi.
