Një raport i organizatës prestigjioze ‘Bar Human Rights Committee of England and Wales’ ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Ishte ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, që reagoi në lidhje me këtë raport, duke e quajtur kthesën më të madhe për procesin e Hagës, ku ish-krerët e UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po mbahen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.
Sipas transmetimit të Klankosova.tv, Behrami theksoi se publikimi i raportit që zbulon shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore duhet të jetë alarm për shtetet financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ai shtoi se organizata ‘Bar Human Rights Committee of England and Wales’ njihet për faktet e verifikuara dhe falënderoi Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, për angazhimin në zbardhjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
