Shqipëria ka ratifikuar marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 21 numrin e marrëveshjeve të këtij lloji që qeveria ka nënshkruar me vendet ku jeton diaspora shqiptare.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se kjo është marrëveshja e 10-të me vendet e Bashkimit Evropian, e cila synon të lehtësojë jetën e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Nga ana tjetër, qeveria mbetet e angazhuar që të vijojë me ratifikimin e marrëveshjeve me të gjitha vendet që kanë diasporë të pranishme.
Sa i përket marrëveshjes me Greqinë, ku jeton një nga komunitetet më të mëdha të shqiptarëve, diskutimet janë ende në proces.
Sipas Ministrisë së Financave, negociatat janë intensive dhe përfshijnë një sërë çështjesh të ndjeshme.
