Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka shprehur shqetësimin e tij, lidhur me vendimin e Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.
Në reagimin publik, kryetari i Supremes vlerësoi se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion.
Sipas tij, tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, teksa shtoi se arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.
Rexhepi shtoi se emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, siç tha ai, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, “dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë”.
