Piloti i klubit ‘Shqiponjat e Kastriotit’, Latif Shala, ka pësuar një lëndim në pjesën e poshtme të shpinës gjatë garave ndërkombëtare në Paradzhik të Bullgarisë ku së bashku edhe me Migjen Shalën, Lisjeta Thaqin dhe Arbër Shalën, përfaqësuan me dinjitet ngjyrat e Kosovës.
Ngjarja ndodhi pas rundit të katërt në Paragllajd, ku piloti pati një ulje të vrullshme. ‘Përkundër situatës së rëndë, lajmi më i rëndësishëm është se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë dhe po merr trajtimin e nevojshëm në qendër ortopedike!
Në këto momente sfiduese, u dëshmua forca e vërtetë e ekipit dhe solidariteti njerëzor.
Piloti ynë u transportua nga Bullgaria në Kosovë me ambulancën e QKMF – Obiliq, duke bërë të mundur kthimin e tij të sigurt pranë familjes dhe kujdesit mjekësor vendor’, thuhet në njoftimin e klubit transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në këtë njoftim bëhet e ditur se ky është shembulli më i mirë se sporti nuk është vetëm garë, por mbi të gjitha është humanizëm dhe bashkëpunim. ‘Klubi ynë i qëndron pranë Latif Shalës në këtë rrugëtim të rikuperimit.
I urojmë shërim të shpejtë, forcë dhe rikthim edhe më të fuqishëm në qiell, për të vazhduar përfaqësimin e klubit, komunës dhe shtetit tonë.
Jemi me ty – sot më shumë se kurrë!’, njofton Klubi ‘Shqiponjat e Kastriotit’ transmeton Klankosova.tv.
