Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Sipas këtij dikasteri qeveritar nga Shkupi, provimi i jurisprudencës jepet në përputhje me ligjin në fuqi. ‘Bëhet fjalë për provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit rreth sistemit juridik.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv dhe shqyrton me vëmendje nismat dhe propozimet, në kuadër të kompetencave juridike’, theksohet në reagim.
Ministria, e udhëhequr nga Igor Fillkov, gjithashtu kritikoi mungesën e simboleve shtetërore në protestën e studentëve shqiptarë dhe shprehu shqetësim për rolin e një partie opozitare në këto protesta, duke ngritur dyshime për instrumentalizim politik dhe përdorim të retorikës etnike për qëllime të caktuara.
