Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht protestën e paralajmëruar për rritjen e pagave dhe nivelizimin e tyre, duke përfshirë pagën e 13-të.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka njoftuar se ky vendim është marrë pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar kërkesat e punëtorëve. “Siç e dini, deri sot kemi paralajmëruar një protestë paqësore për dy kërkesa: ngritje të pagave dhe nivelizimin e tyre së bashku me pagën e 13.
Gjatë javës që shkoi, ka pasur disa zhvillime ku ne kemi pasur ftesë nga menaxhmenti dhe bordi i KEK-ut për takim.
Kemi zhvilluar takime të përbashkëta për shqyrtimin e kërkesave të sindikatës në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje.
Menaxhmenti dhe bordi kanë shprehur vullnet dhe gatishmëri për t’i shqyrtuar kërkesat, kështu që me mirëkuptimin e të dy palëve kemi pasur takime me të gjithë punëtorët në tri divizionet — në divizionin e prodhimit të qymyrit, termocentralin Kosova A dhe në termocentralin Kosova B, dhe kemi marrë konfirmimin për një pezullim të përkohshëm të protestës derisa të shqyrtohen kërkesat në tërësi,” tha ai. “Në momentin që do të ketë rezultate të kënaqshme për punëtorët, ne do t’i njoftojmë jo vetëm punëtorët, por edhe juve.
Për momentin jemi në bisedime dhe pritet të vazhdojë,” shtoi Jashari.
Ai gjithashtu paralajmëroi se në rast se nuk arrihet një zgjidhje dhe nuk ka rezultate konkrete, protesta mbetet një mundësi. “Me vetë faktin që kemi thënë se e kemi pezulluar përkohësisht protestën, kjo tregon që ne kemi një afat të limituar për rezultate, në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut.
Në momentin kur nuk ka dialog dhe nuk shterohen mundësitë e shqyrtimit të kërkesave dhe nuk ka rezultate, pa diskutim që ne e kemi opsionin e protestës,” përfundoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

