Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar sot një Rezolutë në Kuvend për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave.
PDK ka kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën, që sipas tyre, lidhet me zhvillimet e fundit dhe reagimin e drejtë institucional ndaj tyre.
Por, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë.
Në këto rrethana dhe për ta shmangur një votim të paracaktuar për dështim, PDK thotë se është detyruar ta tërheqë përkohësisht këtë Rezolutë nga procedura parlamentare dhe të lëshojë sallën e Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur që këtë çështje ta rikthejë në Kuvend dhe të kërkojë mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore për miratimin e saj.
Mbrojtja e së vërtetës historike nuk është çështje e një partie, por detyrim ndaj shtetit, ndaj viktimave dhe ndaj brezave që vijnë.
