Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ka një plan të qartë kohor dhe nuk po nxiton me procesin.
Sipas tij, për VV-në është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të marrë edhe rolin e ushtrueses së detyrës së presidentit. ‘LVV e ka një plan në kohë.
Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten.
Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre.
Po shihet qartë që kjo është e lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale.
Pra, LVV po pret. Çdo gjë pritet të fillojë në momentin kur të kemi një ushtrues detyre të ri të presidentit.
Njëherë të marrë detyrën Haxhiu, e pastaj të nisin konsultimet e mëtejshme,’ tha Haradinaj para mediave, njofton Klankosova.tv.
Ai theksoi se partia e tij i ka gjashtë vota, por nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. ‘AAK i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet.
Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do bëjnë,’ shtoi kreu i Aleancës./Klankosova.tv
