Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.
Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme.
Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg më 4 prill 2009.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve në Samitin e NATO-s Bukuresht.
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria fokusoi përpjekjet në transformimin e forcave të armatosura në një forcë profesioniste dhe e dislokuar.
Shqipëria ka rritur kontributin në operacionet e Aleancës në Afganistan dhe në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë.





