Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrat në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, e para e shtetit në këto përvjetore tha se pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme. ‘Më 31 mars 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor.
Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli. 13 persona mbijetuan që ta mbajnë mbi supe kujtesën dhe të vërtetën që nuk duhet të harrohet kurrë.’ ‘Makineria vrasëse e Serbisë, të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, ekzekutoi brutalisht 42 civilë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri!’, shkroi Osmani, transmeton Klankosova.tv
