Këngëtari Robert Berisha ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Rudina, ku foli gjerësisht për jetën e tij personale dhe planet profesionale.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te raporti me ish-bashkëshorten, këngëtaren Nora Istrefi.
Roberti theksoi se, pavarësisht ndarjes prej vitesh, ata vazhdojnë të ruajnë një marrëdhënie shumë të mirë, duke e konsideruar këtë si diçka të rëndësishme, sidomos për vajzën e tyre, Renee.
Ai u shpreh se edhe nëse nuk do të ishte vajza e tyre në mes, do ta kishte pasur shumë të vështirë të ishte në armiqësi me Norën, pas gjithë viteve që kanë kaluar bashkë.
I pyetur nga moderatorja për mundësinë e një ribashkimi, Roberti nuk e përjashtoi një gjë të tillë, duke lënë gjithçka të hapur. ‘Jam i lirë, jam i fokusuar në punë, jam duke bërë albumin tim të parë pas 10 vjetëve me 12 këngë të reja dhe jam përkushtuar shumë në atë drejtim.
Kam qejf të jem pak i lirë dhe po e vë re se nuk jam i gatshëm dhe nuk do të kisha qejf të lëndoja të njëjtin person dy herë’, u shpreh ai.
Ndërkohë, Roberti komentoi edhe unazën që i kishte dhuruar Norës, e cila kishte tërhequr vëmendjen e publikut.
Ai sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një gjest simbolik nga disa miq të tij, i cili më pas do të mbahej nga vajza e tyre. ‘Nëse bashkohemi, bashkohemi, por për unazë nuk ka nevojë, s’ka nevojë të bëjmë harxhime’, tha ai me humor.
