Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në rajonin e Prishtinës, pas një pune intensive operative në terren dhe grumbullimit të informatave relevante lidhur me aktivitetet kriminale në fushën e narkotikëve, kanë realizuar me sukses një operacion policor antidrogë të koduar me emrin “Delivery”.
Hetimet fillimisht kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike në qytetin e Prishtinës.
Në një operacion policor, të dyshuarit janë ndaluar në Vushtrri duke transportuar marihuanë dhe kokainë.
Gjatë ndjekjes, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të drogës.
Në koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë realizuar bastisje të cilat kanë sjellë sekuestrimin e sasisë së drogës dhe parave të gatshme.
Operacioni ka rezultuar me arrestimin e katër personave.
Në vendngjarje është zbuluar një hapësirë e modifikuar si “Call Center” dhe janë sekuestruar laptopë.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje rreth kësaj bande kriminale.
