Një juri në Los Angeles ka shpallur një fitore të paprecedentë për një grua të re që paditi Meta-n dhe YouTube-in për varësinë e saj të fëmijërisë që kishte nga mediat sociale.
Gjykatësit zbuluan se Meta, e cila zotëron Instagram-in, Facebook-un dhe WhatsApp-in, dhe Google, pronare e YouTube, ndërtuan qëllimisht platforma të mediave sociale që shkaktonin varësi, të cilat dëmtuan shëndetin mendor të 20-vjeçares.
Gruaja, e njohur si Kaley, u shpërblye me 3 milionë dollarë në një rezultat që ka të ngjarë të ketë implikime për qindra raste të ngjashme që tani po kalojnë nëpër gjykatat amerikane.
Meta dhe Google thanë veçmas se nuk ishin dakord me vendimin dhe do të apelonin të dy.
Gjykatësit shpallën Meta-n si 70% përgjegjëse për dëmin e paditësit ndërsa thanë se YouTube ishte përgjegjëse për 30% të totalit të dëmit.
Një formë tjetër dëmshpërblimi, dëmet ndëshkuese, ende duhet të përcaktohen nga gjykata.
Prindërit e fëmijëve të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e padisë së Kaleyt, por pretendojnë se edhe ata janë dëmtuar nga mediat sociale, ishin jashtë gjykatës të mërkurën, siç kishin qenë shumë ditë gjatë gjithë gjyqit pesë-javor.
Vendimi i Los Anxhelosit erdhi një ditë pasi një juri në New Mexico e shpalli Meta-n përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikonin fëmijët dhe i ekspozonin ata ndaj materialeve me përmbajtje seksuale eksplicite dhe kontaktit me grabitqarët seksualë.
Mark Zuckerberg, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, u mbështet në politikën e gjatë të kompanisë së tij për të mos lejuar përdoruesit nën moshën 13 vjeç në asnjë nga platformat e saj.
Kaley, e cila u shpërblye me 3 milionë dollarë, filloi të përdorte Instagram-in në moshën nëntë vjeçe dhe YouTube-in në moshën gjashtë vjeçe, duke pësuar më pas ndjenja ankthi dhe depresioni.
Ajo gjithashtu u diagnostikua me dismorfi trupore pasi fillonte të përdorte filtra të Instagram-it që ndryshonin pamjen e saj fizike.
Avokatët e saj argumentuan se veçoritë e Instagram-it, si pafundësia e “scroll”-it, ishin projektuar për të krijuar varësi.
