Rrjedha e krimit që ndodhi të dielën mbrëma në Majac të Podujevës po merr një kthesë tjetër.
Klankosova.tv ka mësuar ekskluzivisht se e dyshuara tashmë e ndjerë, Ardita Gashi, e cila vrau Ilaz Brahimin dhe gruan e axhës, Miradije Gashin, një orë para krimit kishte pirë kafe në një lokal me të dashurin e saj, 45-vjeçarin nga Obiliqi.
Sipas burimeve ekskluzive që redaksia i ka siguruar, Ardita dhe Ilazi kishin hyrë të tensionuar në një kafene dhe aty kanë qëndruar për rreth një orë.
Po ashtu, çifti tashmë i ndjerë kanë pirë nga tre kafe dhe herë pas here kanë folur me tone të larta.
Redaksia, ndër të tjera, ka mësuar se në momentin e pagesës, të dy janë ngritur në këmbë, ndërsa Ardita kishte lënë çantën e dorës në karrigen pranë tavolinës ku kishin pirë kafe.
Menjëherë pas pagesës, ajo ishte kthyer për ta marrë.
Pasi 31-vjeçarja dhe 45-vjeçari kanë dalë nga lokali, janë nisur drejt veturës së tipit Volkswagen me ngjyrë të bardhë (targat e së cilës Klankosova.tv i ka siguruar).
Fillimisht, Ardita ishte ulur në sediljen e përparme, por sipas burimeve, pas vetëm pak minutash ajo kishte kaluar në pjesën e pasme të veturës.
Klankosova.tv ka siguruar edhe informacione të tjera rreth kësaj tragjedie, por nuk do t’i publikojë për momentin, për shkak të rrjedhës së hetimeve dhe ndjeshmërisë së rastit. “Largohu se të vrasë edhe ty”, njëri nga familjarët me detaje tronditëse për tragjedinë në Majac të Podujevës
