Falja e namazit të Fitër Bajramit në xhaminë ‘Haxhi Ibrahim Devolli’ në Pejë u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit, konkretisht në orën 06:18, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh të të gjitha moshave.
Atmosfera ishte festive dhe shpirtërore, me pjesëmarrje të lartë që nga namazi i sabahut.
Programi nisi me faljen e sabahut dhe interpretim ilahish nga Egzon Ibrahimi me grupin e tij, të cilat krijuan emocione të veçanta te të pranishmit.
Gjatë ligjëratave në kuadër të festës së Fitër Bajramit, Enes Mazllami nënvizoi rëndësinë e falënderimit ndaj Zotit, përfundimin e agjërimit dhe vlerën e Kuranit si udhëzues për jetën.
Para faljes së Bajramit, u lexua edhe Kurani nga Almedin Ejupi, i cili po ashtu theksoi rëndësinë e muajit të Ramazanit.
Pas faljes së namazit, besimtarët u përshëndetën me njëri-tjetrin me urimet tradicionale për Bajram, duke ndarë momente gëzimi, afërsie dhe solidariteti.
