Festivali Shqip Up Comedy Festival po zgjerohet përtej kufijve të Zvicrës, duke u përgatitur për edicionin e tij të parë ndërkombëtar.
Pas disa edicionesh të suksesshme në Zürich, organizatorët kanë vendosur që këtë herë ta sjellin atmosferën e humorit shqiptar edhe në Këln të Gjermanisë.
Eventi pritet të mbahet më 25 prill 2026, në ambientet e Eltzhof Kulturgut, ku publiku shqiptar në diasporë do të ketë mundësinë të shijojë një natë të mbushur me humor, energji dhe performanca live nga emra të njohur të skenës.
Organizatorët tashmë kanë nisur të zbulojnë një nga një artistët që do të jenë pjesë e këtij edicioni të parë jashtë Zvicrës.
Ndër emrat e konfirmuar është edhe Luan Comedy, një nga figurat më të dashura të humorit shqiptar në diasporë, i cili pritet të sjellë në skenë stilin e tij unik të humorit të ndërthurur me elemente nga jeta në Gjermani. “Një nga emrat më të dashur të humorit shqiptar, Luan Comedy, ngjitet në skenë për të sjellë të qeshura pa ndalim”, thuhet në njoftimin zyrtar të festivalit, duke premtuar një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.
Përveç tij, pritet që në ditët në vijim të zbulohen edhe emra të tjerë të njohur që do t’i bashkohen këtij edicioni, duke e kthyer eventin në një nga ngjarjet më të rëndësishme të humorit shqiptar në diasporë.
