Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku ka prezantuar masat dhe rezultatet e Qeverisë për avancimin e të drejtave dhe përfshirjen e këtyre komuniteteve në shoqëri.
Kurti ka thënë se “barazia nuk arrihet njëherë e përgjithmonë, por duhet të ndërtohet dhe të mbrohet çdo ditë”, duke theksuar se përfshirja e komuniteteve nuk është privilegj, por e drejtë e çdo qytetari dhe detyrim i shtetit.
Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë të ditur se, sipas raportit për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për periudhën 2022-2026, mbi 80 për qind e aktiviteteve janë përmbushur plotësisht, 11 për qind pjesërisht, ndërsa 9 për qind mbeten ende për t’u realizuar.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka veçuar investimet në arsim, duke njoftuar se për vitin akademik 2025-2026 janë ndarë 477 bursa në vlerë prej 190 mijë e 800 eurosh, ndërsa për vitin shkollor 2026-2027 janë ndarë 494 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve.
Ai ka bërë të ditur edhe rritjen e buxhetit për 54 qendrat mësimore, të cilat menaxhohen nga 10 organizata joqeveritare.
Sipas tij, buxheti është rritur nga 250 mijë në 370 mijë euro, ndërsa mbi 2 mijë e 600 fëmijë pritet të përfitojnë mbështetje gjatë këtij viti shkollor.
Në fushën e banimit, Kurti ka deklaruar se janë ndarë rreth 37 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale, si dhe për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të familjeve në gjendje të cenueshme.
Sa i përket punësimit dhe përfaqësimit institucional, kryeministri ka bërë të ditur se që nga viti 2022 janë shtuar 37 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Policinë e Kosovës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të punësuarve në 70.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

