Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.K., dhe A.K., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Në kërkesën e Prokurorisë jepen edhe detaje nga rasti. “Nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale.
Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga i viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400,000 (katërqind mijë) euro”. “Në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, hyn edhe viktima e dytë B.B., që merr para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerjen e borxhit”. “Të pandehurit E.K., dhe A.K., nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, kërkojnë shumën prej 550,000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro.
Për të siguruar këtë shumë, të pandehurit kërkojnë nga viktima B.Ç., që në emër të kamatave t’u kalojnë në pronësi 2 (dy) lokale afariste dhe 1 (një) shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 (një) milion euro”, ka njoftuar Prokuroria.
Arrestohen në Prizren dy të dyshuar për fajde, viktimës kërkuan t’ia marrin pronat në vlerë 1 milion euro (VIDEO) Tutje, thuhet se të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, “përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit”.
Prokuroria tha se gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore, është sekuestruar pasuri e specifikuar, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte të ndryshme noteriale, dhe prova të tjera materiale, të cilat lidhen me veprat penale të lartcekura.
Prokuroria Themelore në Prizren tha se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe në forcimin e sundimit të ligjit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.
