Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar AKK se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit ‘Kosovë’ me asteriks*, dhe të përdoret thjesht ‘Kosovë’.
Ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin ‘Kosovë’ pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.
Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës. ‘Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian.
Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale.
Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë’, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), thuhet se ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian. ‘Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në: Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.
Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën. ‘Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal.
Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian’. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
