Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut mban në fuqi sistemin ‘Safe City’: Reagimi i BDI-së dhe kërkesa për dorëheqjen e Kostadinovskit

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që t’i hedhin poshtë të gjitha nismat për kontestimin e sistemit “Safe City”.

Kjo do të thotë se sistemi mbetet në fuqi.

Në Kushtetuese u ngritën katër nisma që kontestojnë ligjshmërinë e sistemit në fjalë, një nga Aleanca për Shqiptarët-Taravari, një tjetër nga Aleanca për Shqiptarët-Sela dhe një nismë tjetër nga Ylli Paçuku, si student i Fakultetit Juridik, që mbështetej nga BDI, raporton tv21.


- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese e vendit i refuzoi iniciativat e deputetëve Ziadin Sela, si dhe atë të Arben Taravarit, të cilat kishin të bënin me Ligjin për kundërvajtje në komunikacion, i njohur si “Safe City”.

Në iniciativat thuhej se zgjidhjet e reja për evidentimin elektronik të kundërvajtjeve në komunikacion krijojnë pabarazi, pasi sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe se mesazhet që pranohen në rast të kundërvajtjeve në komunikacion duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Gjykatësi Naser Ajdari tha se duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria dhe t’i rekomandohet Kuvendit që të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për kundërvajtje.

Me qëndrim të kundërt ishte gjyqtarja raportuese Ana Pavllovska-Daneva, e cila tha se në vetë ligjin është e përcaktuar mirë në cilat raste zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se nuk ka nevojë të hapet procedurë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë, ndërsa me qëndrim të ngjashëm ishte edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski.

Nga BDI vlerësojnë se deklaratat e fundit të Kostadinovskit lidhur me projektin “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, përbëjnë diskriminim të hapur dhe shkelje të frymës së Kushtetutës.

Sipas kësaj partie, me qëndrimet e tij dhe me vendimet e marra gjatë dy viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një mjet politik që, sipas tyre, synon të minojë arritjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. “Deklaratat për ‘Safe City’, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti theksojnë gjithashtu se gjatë vendimmarrjeve në Gjykatën Kushtetuese, dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk janë mbivotuar, duke shtuar se kjo rikthen praktika që, sipas tyre, kujtojnë periudhën e viteve të nëntëdhjeta.

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që, sipas tyre, ka mbështetur qëndrime diskriminuese gjatë dy viteve të fundit.

Në të kundërtën, partia paralajmëron se ai do të mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Në reagim, BDI ka akuzuar edhe koalicionin VLEN, duke e cilësuar si bashkëpërgjegjës për veprimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke thënë se për këtë çështje nuk ka reaguar.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *