Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Aurela Gaçe, ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj artistike, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.
Artistja u shpreh se muzika për të nuk ka qenë kurrë thjesht një profesion, por vetë jeta. Megjithatë, ajo kujtoi një moment kritik, kur për arsye shëndetësore u detyrua të ndërpriste këndimin për tre muaj, një përvojë që e përjetoi me shumë dhimbje.
Aurela foli edhe për suksesin e “Aurela Gaçe Show”, një projekt ambicioz me 12 shfaqje live, i cili vazhdon të kërkohet ende nga publiku. Ajo tregoi se çdo performancë ishte plotësisht live dhe rezultat i një pune intensive nga i gjithë stafi.
“Kam kërkuar, kam guxuar dhe do vazhdoj të guxoj. Ka pasur edhe këngë që kam ndjerë se nuk ishin unë. Një këngë duhet provuar si një veshje”, u shpreh Gaçe, duke shtuar se publiku gjithmonë e ndien sinqeritetin artistik.
Artistja foli edhe për mbështetjen që u ka dhënë talenteve të rinj, duke pranuar se ndonjëherë është ndjerë e zhgënjyer nga mungesa e mirënjohjes, por se durimi ka qenë çelësi i gjithë rrugëtimit të saj.
Momenti më i vështirë erdhi kur mjekët e paralajmëruan se nëse nuk ndalonte, rrezikonte të mos këndonte më kurrë, për shkak të dëmtimit të kordave vokale.
“Tre muajt që nuk këndova i përjetova shumë keq. Kisha ankth, nuk flija gjumë. Ishte një dhimbje shumë e madhe për mua”, rrëfeu Aurela, duke shtuar se sot stërvitet çdo ditë me disiplinë, ashtu si një balerinë, për të ruajtur zërin.
Ky rrëfim vjen si një dëshmi e forcës, pasionit dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të Aurela Gaçes ndaj artit dhe muzikës.
