Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, respektivisht Njësisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se sot, më 17 dhjetor 2025, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur një aksion të gjerë në kryeqytet.
Aksioni po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Njësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut. Në kuadër të këtij operacioni, janë duke u kontrolluar gjithsej 15 biznese në Prishtinë, të cilat dyshohet se kanë ofruar shërbime estetike në kundërshtim me ligjin.
Sipas Prokurorisë, kontrollet po zhvillohen në bazë të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të lëshuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë aksionit po bëhet sekuestrimi i provave që dyshohet se lidhen drejtpërdrejt me veprat penale nën hetim, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe tregtinë e ndaluar.
Dyshimet bazohen në faktin se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal botoks, ndonëse sipas legjislacionit në fuqi, ky shërbim mund të ofrohet vetëm nga personel i certifikuar dhe i autorizuar.
Po ashtu, nga të dhënat zyrtare rezulton se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë operator ekonomik të licencuar për importimin e këtij produkti medicinal, çka e bën përdorimin dhe tregtimin e tij të paligjshëm në këto rrethana.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve.
