temp image 1184 temp image 1184

Policia e Kosovës Hap Konkursin për 450 Rreshterë të Ri

- Advertisement -

Për herë të tretë, policia e Kosovës ka shpallur konkursin për gradën e rreshterit, me synimin për të rekrutuar edhe 450 rreshterë të rinj.

Këto pozita janë hapur pasi dy konkurse të mëparshme ishin anuluar për shkak të shkeljeve në procesin e aplikimit.

Gjykata Supreme kishte dhënë rekomandime për këtë çështje, duke anuluar udhëzimin administrativ për gradën e rreshterit dhe toger.

Tëvë1 ka dërguar pyetje Policisë së Kosovës, për të kuptuar nëse kjo herë janë marrë parasysh rekomandimet dhe nëse procesi do të jetë më i suksesshëm.

Megjithatë, deri tani, ky institucion nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit.

Kryetari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, e ka mirëpritur këtë vendim, duke theksuar rëndësinë e plotësimit të këtyre pozitave në polici. “Policia, sa kam informacion, është rikthyer në udhëzimin e vjetër me të cilin ka funksionuar, pasi më herët nuk është lejuar që policët dhe rreshterët të avancohen.

Ka policë që për 12 vjet nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë për gradën e rreshterit.

Tashmë besoj se procesi do të kryhet dhe do të përfundojë”, shprehet Bajqinovci.

Ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina, gjithashtu e sheh këtë konkurs si një hap të mirë. “Kjo është e rëndësishme për të plotësuar vendet vakante dhe besoj se do të vazhdohet edhe me grada të tjera, si toger, kapiten, major, kolonel etj., për të adresuar mungesën e gradave udhëheqëse”, thotë Morina, i cili tani është në pension.

Ai thekson se grada e rreshterit është thelbësore për menaxhimin e rasteve. “Mungesa e profesionalizmit ka qenë një problem, pasi në vend të rreshterëve ka pasur policë të zakonshëm pa kualifikime të duhura.

Me hapjen e këtij konkursi, do të sjellim rreshterë profesionalë dhe me përvojë, të cilët do të udhëheqin stacionet policore dhe do të angazhohen në mënyrë më të efektshme në operacione”, thekson Morina.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur nisjen e këtij gradimi, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve që shërbejnë me profesionalizëm.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -