temp image 398 temp image 398 scaled

Një Shtetase Spanjolle e Kërkuar Punon si Farmaciste në Zvicër me Diplomë të Falsifikuar

- Advertisement -

Një shtetase spanjolle, e cila është në kërkim nga autoritetet evropiane për ushtrimin e paligjshëm të profesionit të mjekes dhe përdorimin e një diplome të falsifikuar, ka arritur të punësohet si farmaciste në disa kantone të Zvicrës, pavarësisht se nuk kishte kualifikimet e nevojshme.

Gruaja është pjesë e listës së personave më të kërkuar në Evropë në platformën e Europolit që nga gushti i kaluar, por aktualisht jeton në kantonin e Neuchâtelit.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga gazeta zvicerane “ArcInfo”, ajo ka siguruar punësim në disa institucione farmaceutike dhe shëndetësore duke paraqitur dokumente të falsifikuara.

Ajo kishte braktisur Spanjën në fund të vitit 2022, pasi ishte dënuar për ushtrimin e paligjshëm të profesionit të mjekes në rajonin e Galicias.

Atje, ajo kishte përshkruar barna dhe kishte nënshkruar edhe një certifikatë vdekjeje, sipas raportit të 24 heures.

Pas mbërritjes në Zvicër, ajo ndryshoi drejtim dhe filloi të paraqitej si farmaciste, duke përdorur një diplomë të falsifikuar nga një universitet spanjoll, në të cilin nuk kishte studiuar asnjëherë.

Si arriti të punësohej në katër vende të ndryshme?

Në Zvicër, diplomat e huaja duhet të njihen nga Komisioni i Profesioneve Mjekësore (Mebeko) përpara se personat të mund të ushtrojnë profesionet përkatëse.

Megjithatë, gjatë viteve 2023 dhe 2024, ajo arriti të sigurojë katër vende pune në Lozanë, Neuchâtel, Bernë dhe Bazel.

Fillimisht, në shkurt të vitit 2023, u punësua si asistente në një farmaci në Lozanë, pozita për të cilën nuk kërkohet autorizim i posaçëm.

Gjatë kësaj periudhe, ajo ndoqi një seminar treditor në CHUV, Spitalin Universitar të Lozanës, të cilin më vonë e paraqiti në CV-në e saj si trajnim në farmaci spitalore.

Më pas, ajo u punësua si farmaciste në një farmaci në Bernë.

Gjatë kësaj pune, punëdhënësi i saj arriti të zbulonte një gabim serioz në dozimin e metadonit, një medikament që u jepet personave të varur nga droga.

Pas kësaj, ajo siguroi një vend pune në Rrjetin Spitalor të Neuchâtelit (RHNE), dhe më vonë edhe në Bazel.

Sipas raportimit, mungesa e specialistëve dhe procesi i gjatë i njohjes së diplomave nga Mebeko, i cili mund të zgjasë disa muaj, ndihmuan që punëdhënësit të nënshkruanin kontratat e saj përpara se të merrnin dokumentacionin zyrtar.

Rrjeti Spitalor i Neuchâtelit kishte pranuar një përjashtim për shkak të vështirësive në rekrutim.

Megjithatë, institucioni ka deklaruar se gruaja nuk kishte kryer “asnjë procedurë në mënyrë të pavarur” para se të largohej nga pozita gjatë periudhës së provës.

- Advertisement -