Franca ka shprehur kritika ndaj vendimit të Izraelit për të ndaluar hyrjen në vend të liderit të partisë opozitare “Franca e Papërkulur” (La France Insoumise), Jean-Luc Mélenchon, dhe kryetares së grupit parlamentar të kësaj force politike, Mathilde Panot.
Reagimi nga Parisi erdhi të enjten në mbrëmje, përmes ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i cili e quajti vendimin e autoriteteve izraelite si “demagogjik”.
Izraeli njoftoi se Mélenchon dhe Panot nuk janë të mirëpritur në vend, duke argumentuar se partia e tyre mban një qëndrim ekstrem kundër Izraelit dhe se drejtuesit e saj kanë bërë deklarata të ashpra ndaj shtetit hebre. “Ky vendim demagogjik, që vjen nga një qeveri që ka shkelur vazhdimisht të drejtën ndërkombëtare, u shërben atyre që, si La France Insoumise, sigurojnë jetesën duke shfrytëzuar konfliktin izraelito-palestinez”, deklaroi Barrot.
Kryediplomati francez theksoi gjithashtu se Parisi do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete dhe bashkëjetesën paqësore mes popullsisë izraelite dhe asaj palestineze.
Kjo përplasje diplomatike ndodhi pas deklaratave të Mélenchon gjatë fundjavës, kur ai njoftoi se, në rast se fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, të parashikuara për prillin e vitit 2027, do të urdhërojë anijet franceze të shoqërojnë flotiljet që transportojnë ndihma humanitare drejt Gazës.




