Alejandro Balde vazhdon të jetë në vëmendjen e Milanit dhe Romës, me këto dy klube italiane që po e ndjekin nga afër situatën e mbrojtësit të Barcelonës.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, agjenti Jorge Mendes kishte ofruar futbollistin dy skuadrave italiane gjatë verës së kaluar, me shpresën për t’i gjetur atij një destinacion të ri.
Romano theksoi se Mendes kishte kontaktuar edhe Milanin, ndërsa të dy klubet e Serie A vazhdojnë të jenë të informuara për situatën e 22-vjeçarit.
Megjithatë, pengesa kryesore për realizimin e një transferimi mbetet çmimi.
Barcelona thuhet se kishte kërkuar 50 deri në 60 milionë euro për ta liruar përfundimisht lojtarin gjatë verës, një shumë që konsiderohet e lartë për klubet italiane.
Edhe mundësia e një huazimi nuk do të ishte e lehtë, pasi Balde përfiton rreth 5.5 milionë euro neto në sezon, një pagë që do të përbënte barrë të konsiderueshme financiare për Milanin apo Romën.
Sipas Romanos, Barcelona mund të jetë e gatshme ta shqyrtojë mundësinë e huazimit të tij në afatin kalimtar të janarit, por edhe në këtë skenar, mbulimi i pagës së futbollistit mbetet një problem i rëndësishëm.




