temp image 401 temp image 401 scaled

Merab Dvalishvili Liruar nga Qendra e Ndalimit në Emiratet e Bashkuara Arabe

- Advertisement -

Organizata “Real American Freestyle” (RAF) ka bërë të ditur se Merab Dvalishvili është liruar nga qendra e ndalimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas ngjarjeve të fundit që përfshinë përleshjen e tij me Usman Nurmagomedovin.

Dvalishvili, para se të niste ndeshjen me Marlon Moraes në një event të mundjes së lirë të organizuar nga RAF, u sulmua papritur nga Nurmagomedov dhe ekipit të tij në hollin e një hoteli, duke rezultuar në një përleshje masive që çoi në arrestimin e disa individëve.

Pas incidentit, situata e 10 personave të arrestuar, përfshirë Dvalishvilin dhe Nurmagomedovin, mbeti e paqartë.

Sidoqoftë, drejtori ekzekutiv i RAF-it, Chad Bronstein, konfirmoi se Dvalishvili ishte liruar.

Pamjet e përleshjes mes Dvalishvilit, ish-kampionit të UFC-së në kategorinë bantamweight, dhe Nurmagomedovit u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, pas publikimit nga ylli i UFC-së, Ilia Topuria.

Raportet tregojnë se gjithsej 10 persona u arrestuan për këtë incident, ku gjashtë prej tyre ishin pjesë e ekipit të Nurmagomedovit.

Midis të arrestuarve ishin edhe Dvalishvili, shoku i tij Saba Lazishvili, si dhe dy individë që kishin filmuar ngjarjen.

Rreth 48 orë pas ngjarjes, Bronstein njoftoi se Dvalishvili dhe Lazishvili ishin liruar nga qendra e ndalimit.

Për tetë personat e tjerë të arrestuar, mediumi “The National” nga Abu Dhabi raportoi se disa prej tyre kishin marrë dënime me burg.

Sipas Departamentit Gjyqësor të Abu Dhabit, gjashtë të akuzuar janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, me gjobë prej 300 mijë dirhemësh (rreth 61 mijë euro) dhe do të deportohen pas përfundimit të dënimit.

Ata ishin shpallur fajtorë për cenim të sigurisë publike, shkaktim paniku dhe rrezikim të jetës së të tjerëve.

Dy individë të tjerë u gjobitën me nga 50 mijë dirhemë (rreth 10 mijë euro) për “cenim të sigurisë publike dhe sulm ndaj personave të tjerë”.

Dy personat e fundit të arrestuar gjithashtu u dënuan me nga gjashtë muaj burgim, gjobë prej 300 mijë dirhemësh (rreth 61 mijë euro) dhe deportim për shkelje të privatësisë duke filmuar dhe publikuar pamjet e përleshjes.

- Advertisement -