Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen në shëndetësinë kosovare gjatë seancës ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po përballet me një interpelancë lidhur me rastin tragjik të pacientes që humbi jetën nga kanceri, si dhe për mungesën e barnave onkologjike.
Kadrijaj theksoi nevojën e ngutshme për zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, duke pyetur se kur do të nisë ky proces.
Ajo kërkoi që Qeveria ta trajtojë shëndetësinë si një prioritet të domosdoshëm, duke theksuar se qytetarët po hasin vështirësi të mëdha për sigurimin e barnave. “Shëndetësia është çështje e dinjitetit njerëzor.
A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie?
Aman, bëjeni prioritet, se qytetarët janë në hall”, deklaroi Kadrijaj.
Ajo gjithashtu përmendi një deklaratë prekëse të një qytetari që humbi jetën për shkak të mungesës së barnave, i cili kishte thënë: “A me jetu, a me ble barna?”.
Sipas saj, kjo deklaratë duhet t’i prekë të gjithë, duke përfshirë deputetët, dhe kërkoi që institucionet të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




