Federata Zvicerane e Sindikatave (SGB) është duke shqyrtuar një iniciativë popullore për vendosjen e pagës minimale prej 5.000 frangash në muaj për të gjithë ata që kanë përfunduar një formim profesional.
Kjo kërkesë është bërë nga Pierre-Yves Maillard, president i SGB-së dhe përfaqësues i Partisë Socialdemokrate (SP) në Këshillin e Shteteve nga kantoni i Vaud-it.
Ai thekson se arsimi profesional duhet të ofrojë perspektiva më të mira edhe në aspektin e pagave.
Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Maillard ka shprehur shqetësimin se pagat reale të punonjësve që kanë përfunduar një praktikë profesionale kanë shënuar një rënie të ndjeshme. “Kjo nuk mund të vazhdojë.
Një ofensivë pagash është e nevojshme tani”, ka deklaruar ai.
Propozimi i tij parashikon që çdo individ me arsim profesional të përfunduar të ketë një pagë minimale prej së paku 5.000 frangash në muaj.
Sipas një analize të Federatës Zvicerane të Sindikatave, 28 për qind e të punësuarve me arsim profesional fitojnë më pak se 5.000 franga në muaj, ndërsa 15 për qind prej tyre marrin më pak se 4.500 franga.
Këto shifra janë llogaritur për një javë pune prej 40 orësh dhe 13 paga mujore.
Në mesin e punonjësve që fitojnë nën këto nivele, gratë janë të përfaqësuara në mënyrë disproporcionale.




