temp image 941 temp image 941 scaled

Mesut Ozil i përfshirë në listën e Mirotvorets për shkak të deklaratave ndaj FIFA-s

- Advertisement -

Ish-ylli i kombëtares gjermane, Mesut Ozil, është përfshirë në bazën e të dhënave të faqes ukrainase “Mirotvorets”, e cila publikon emrat e personave që konsiderohen kërcënim për sigurinë e Ukrainës.

Vendimi për ta përfshirë ish-futbollistin në këtë listë erdhi pas një deklarate të tij drejtuar FIFA-s, ku kërkoi rikthimin e Rusisë në futbollin ndërkombëtar dhe akuzoi organizatën për standarde të dyfishta.

Më 21 tetor, në Stamboll, pas një ndeshjeje të veteranëve kundër Zenitit, Ozil bëri thirrje që FIFA t’i trajtojë të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë. “I bëj thirrje FIFA-s që të heqë dorë nga standardet e dyfishta dhe t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë,” kishte deklaruar ai, duke theksuar se Rusia ishte pezulluar nga garat ndërkombëtare, ndërsa Izraeli jo.

Në arsyetimin për përfshirjen e tij në listë, “Mirotvorets” e akuzon Ozilin për “propagandë lufte” dhe interpreton deklaratat e tij si mbështetje publike për agresionin rus dhe vrasjen e qytetarëve ukrainas.

Edhe Ambasada e Rusisë në Kenia ka reaguar për këtë rast.

Më 10 nëntor, përmes një postimi në rrjetin social X, ajo pretendoi se Ozil ishte përfshirë në atë që e quajti “listë të likuidimit”, për shkak të thirrjes së tij drejtuar FIFA-s.

Faqja “Mirotvorets” është krijuar në vitin 2014 dhe nuk është pjesë e institucioneve zyrtare të Ukrainës.

Ajo është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për publikimin e emrave dhe të dhënave personale të individëve pa një proces të verifikimit ligjor.

Platforma është cilësuar edhe si “lista e të vdekurve”, pasi disa persona të përfshirë në të kanë përfunduar më vonë të vrarë ose janë përballur me kërcënime.

Në fillim të tetorit, në këtë bazë të të dhënave ishte përfshirë edhe mbrojtësi i Liverpoolit dhe kombëtares së Hungarisë, Milos Kerkez, pas ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Ukrainës dhe Hungarisë, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve UNN.

- Advertisement -