Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar transferimin e 497 mijë e 972 eurove në kategorinë e pagave dhe shtesave, duke u siguruar kështu që punonjësit komunalë të marrin pagat e nëntorit.
Vendimi është miratuar unanimisht, me 27 vota pro, gjatë një seance të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku.
Gjatë arsyetimit para kuvendarëve, drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, theksoi se seanca ishte thirrur për të garantuar që punonjësit e Komunës t’i marrin pagat e nëntorit në afat.
Ai shtoi se në pesë nënprograme, mjetet e ndara për paga nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar pagesat e këtij muaji.
Kastrati sqaroi nënprogramet përfituese, ku për Zyrën e Kuvendit janë 41.118,97 euro, për zjarrfikësit dhe inspektimet – 22.104,95 euro, planifikimi dhe zhvillimi ekonomik – 1.989,36 euro, shërbimet e kujdesit primar shëndetësor – 151.723,12 euro dhe për arsimin fillor – 281.035,70 euro. “Për t’i mbuluar këto mungesa në kohë, kërkoj miratimin e transferit prej 497.972,10 eurosh brenda kategorisë “Paga dhe Shtesa”, nga mjetet që Komuna i ka në dispozicion në nënprograme të tjera,” theksoi Kastrati.
Gjatë debatit para votimit, nga pozita, Shpend Nuhiu (LVV) shprehu mbështetje për këtë nismë, ndërsa grupet opozitare, përkatësisht Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK) dhe Sami Ahmeti (LDK), kërkuan garanci nëse ky transfer do të sigurojë mjetet e nevojshme për pagat e punëtorëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




