Në Konferencën e 20-të Botërore të Qyteteve Historike, e cila u mbajt në Himeji të Japonisë, Komuna e Gjakovës u pranua zyrtarisht si anëtare e re e Ligës së Qyteteve Historike, njofton kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. “Gjatë punimeve të konferencës, para pjesëmarrësve në konferencë prezantova historinë dhe trashëgiminë kulturore të Gjakovës, si dhe fola për gatishmërinë tonë për bashkëpunim me qytetet e tjera anëtare.
Vizitën zyrtare e përmbyllëm në Kyoto, ku në darkën e shtruar nga Kryetari i Kyotos, mbajta fjalën përmbyllëse,” shkruan tutje i pari i Gjakovës.
Ai thotë se “takimet e zhvilluara me kryetarë të qyteteve japoneze dhe përfaqësues të vendeve të tjera hapin rrugë për shkëmbim të përvojave dhe projekte konkrete në fushën e kulturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik.
Njëkohësisht, kjo pjesëmarrje përbën një kontribut të rëndësishëm për prezencën e Republikës së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.” “Falënderoj organizatorët për mikpritjen, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio, në veçanti Zëvendësshefin e Misionit, z.
Arbër Mehmeti, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e kësaj vizite,” përfundon ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



