Qyteti i Lucernit në Zvicër ka ndërmend të zgjerojë mundësitë për përfshirjen e të rinjve në politikë, duke lejuar që edhe ata nga mosha 14-vjeçare të mund të paraqesin kërkesa dhe shqetësime të tyre në parlamentin komunal.
Sipas televizionit publik zviceran SRF, propozimi parashikon që të rinjtë të mund të paraqesin një kërkesë politike nëse arrijnë të mbledhin 200 nënshkrime.
Aktualisht, vetëm ata që janë 18 vjeç e lart kanë këtë të drejtë, por ndryshimi ka si qëllim që ta ulet kufiri minimal në 14 vjeç.
Kjo nismë erdhi pas një mocioni të Partisë Socialdemokrate (SP) të paraqitur në vitin 2021.
Përkrahësit e saj mendojnë se të rinjtë duhet të kenë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje dhe të sjellin në vëmendje çështje që shpesh kalojnë pa u vërejtur nga të rriturit.
Yannick Gauch, një nga iniciatorët e propozimit, thekson se të rinjtë kanë perspektiva të rëndësishme për shoqërinë dhe duhet t’i kenë mundësitë për t’i shprehur ato përmes institucioneve politike.
Megjithatë, kjo iniciativë ka hasur edhe në kundërshtime.
Partia Popullore Zvicerane (SVP) është e vetmja parti në qytetin e Lucernit që planifikon të rekomandojë votimin kundër saj.
Kryetari i kësaj partie, Marko Hotz, mendon se mosha 14-vjeçare është shumë e re për një përgjegjësi të tillë dhe argumenton se jo të gjithë të rinjtë në këtë moshë kanë të njëjtin nivel interesi dhe pjekurie politike.




